Sunny Hill Festival

Probleme me oksigjen në Mjekimin Intensiv, nga 27 respiratorë po shfrytëzohen 13

Sistemi alarmonte kështu sa herë që kishte problem me oksigjenim, edhe pas rindërtimit të kësaj njësie.

Klinika e Mjekimit Intensiv Qendror është inauguruar rreth dy vjet me parë. Në njësinë ku ishte thënë se është investuar rreth 2 milionë euro, gjatë përballjes me COVID-19 janë shfaqur probleme.

Në këtë klinikë janë 27 respiratorë, por më shumë se 50 për qind e tyre nuk shfrytëzohen. Kjo për shkak se bie presioni i oksigjenit.

KOHA ka mësuar se për këtë çështje është bërë një ekspertizë, e cila deklarativisht e thotë që në këtë klinikë nuk mund të trajtohen me shumë se 13 pacientë në të njëjtën kohë me respiratorë.

Megjithatë, drejtori i Shërbimit Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

KOHËS i është refuzuar edhe kërkesa për të incizuar brenda klinikës.

Por Nehat Baftiu, shef i anesteziologjisë, ka konfirmuar problemet në këtë njësi.

“Është iniciuar një analizë dhe aty ka dalë që vetëm për 13 respiratorë, i duron sistemi i oksigjenimit. Pra, pjesa tjetër nuk mund të shfrytëzohet”.

Në klinikën e cila është investim i TIKAS, vlera e se cilës ishte thënë se është rreth 2 milionë euro, pas dy vjetësh do të bëhet sërish investim për ta zgjidhur këtë problem.

“Brenda dy javësh do të këtë ndërhyrje në sistemin e oksigjenit për t’u rregulluar kjo çështje. Ne besojmë që ajo nuk do të jetë zgjidhje e përkohshme, por afatgjate”, ka thënë ai.

Në majin e vitit 2018, kjo klinikë është inauguruar. Në inaugurim pati marrë pjesë edhe ish-ministri, Uran Ismaili.

Atëkohë ishte thënë se kjo njësi ishte një nga më modernet në sistemin publik shëndetësor.

Por fillimi i punës, siç kanë thanë burimet e KOHËS, ishte bërë pa pranim teknik.

KOHA u ka dërguar pyetje edhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e edhe ish-ministrit Ismaili, por nuk janë përgjigjur.

Ministria e Shëndetësisë e Turqinë ishte dakorduar në vitin 2013 për këtë investim. Atëkohë ministër ishte Ferid Agani.