Xhavit Haliti

Prokuroria e Prizrenit me aksion në disa qytete të Kosovës, target 40 të dyshuar

Një aksion i madh është duke u zhvilluar në të gjitha komunat e Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria e Prizrenit. Këtë aksion po e realizojnë një numër i konsiderueshëm i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Lajmin e ka bërë të ditur për KOHËN, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ndërsa ka konfirmuar se target janë 40 të dyshuar.

“Mund të konfirmoj që jemi ende në aksion dhe aksioni ka përfshirje në të gjitha komunat e Kosovës. Po udhëhiqet nga Prokuroria e Prizrenit. Bëhet fjalë për mbi 40 të dyshuar”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KOHËN.

Raportohet se aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”. 

Deri tani janë arrestuar disa persona në regjionet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka theksuar se pas përfundimit të aksionit do të mbahet një konferencë për media.