Xhavit Haliti

Prokuroria në Prizren: 109 të ndaluar për manipulim të votave

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se 109 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Autoritetet thanë se të ndaluarit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Gjatë një konference për media, Kryeziu tha se i gjithë manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe janë prekur votat e kandidatëve për deputetë.

Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të gjithë komisionerëve, atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë politike më të mëdha në Kosovë sepse sistemi është i tillë që komisionerët në një mënyrë janë mekanizëm kontrollues”, tha Kryeziu.

Sipas tij, vetëm një vendvotim, apo një klasë, ka dalë që nuk i ka pasur votat e keqpërdorura, teksa numri i votave të falsifikuara për një kandidat ka arritur në mbi 6.000.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Nga Prokuroria thanë se tani kanë edhe komisionerë që kanë bashkëpunuar me ta dhe u kanë treguar autoriteteve se si kanë ardhur presionet se kush ka dhënë ryshfet.

Për këtë rast, asnjë kandidatë për deputetë nuk është intervistuar, pasi Prokuroria në Prizren tha se nuk ka prova ndaj tyre. Ata, megjithatë, mund të ftohen në cilësinë e të dëmtuarve, tha kryeprokurori Kryeziu.

Nga Policia e Kosovës thanë se ky është një ndër aksionet më të mëdha të realizuara dhe është aksioni me numrin më të madh të të ndaluarve në rajonin e Prizrenit.

Për shkak të numrit të lartë të të ndaluarve, disa prej tyre janë dërguar edhe në qendrat e ndalimit në Prishtinë.
|Ky aksion vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Kjo madje e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta nisë rinumërimin e plotë të votave, i cili është duke vazhduar tash e disa ditë.

Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet në vota ishin të mëdha.

Si pasojë, prokurorët filluan të mblidhnin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa komisioni e shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.