Prokuroria Speciale e Kosovës ka shënjestruar një tjetër rast për shpërlarje të parasë, mashtrim, falsifikim i dokumenteve dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të PSRK-së, ky rast është i koduar si “Mati 1”.
“Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me Ekipin e Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shënjestrimin e Krimeve të Rënda.
Gjatë këtij takimi është shënjestruar rasti i koduar “Mati 1”, për veprat penale “shpëlarja e parasë”, “mashtrimi”,“falsifikimi i dokumentit”, dhe vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në këtë rast janë të përfshirë 4 persona dhe ka të sekuestruara pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
“Vlera totale e pasurisë së ngrirë dhe sekuestruar është 6,924,656.00 €. Ndër asetet e ngrira dhe të sekuestruara janë 59 banesa, 12 parcela në lokacione të ndryshme dhe 5 llogari bankare”, thuhet në njoftim.