Qeveria mohon se ka marrëveshje për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka mohuar se ka marrëveshje paraprake me Serbinë për anulimin e vizitave reciproke të zyrtarëve të dy shteteve, deri sa janë duke u kryer gërmime për mbetje mortore.

Mohimi ka ardhur me anë të një reagimi për media nga zyra e kryeministrit.

“Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i hedh poshtë si të pa vërteta informatat për marrëveshje në mirëkuptim midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për vizitat e zyrtarëve të lartë nga Serbia”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Sipas Qeverisë,  çdo kërkesë për vizitë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet.

”Qeveria respekton marrëveshjen për lëvizjen e lirë. Por, secila kërkesë për vizitë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet”, thuhet në njoftim.

Ky reagim i qeverisë vjen pasi që në media është raportuar me të madhe se ka një marrëveshje mirëkuptimi me Serbinë që vizitat të anulohen deri në një datë të pacaktuar.

Po ashtu, në lidhje me anulimin e vizitës së Vuçiq në Kosovë ka reaguar ashpër Bashkimi Evropian, duke kërkuar që marrëveshjet për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë mos të politizohen.