Rama nga Shkupi: Kush s’e kupton sa të vegjël jemi është i dënuar të jetojë në të shkuarën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se rajoni nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të kaluarës dhe duhet të shohë drejt të ardhmes.

Ai, në Forumin Ekonomik të Shkupit, ka deklaruar se iniciativa e “Mini-Shengenit” është e duhura për ta bërë një gjë të tillë duke thënë se kushdo që s’e kupton se sa e vogël është fuqia e vendeve të rajonit si të ndara, është i dënuar të jetojë në të kaluarën.

“Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tre vendeve tona dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për ta kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme, sepse këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes – janë të pranishëm ata që krijojnë punë, të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje”.

“Është shumë e qartë që për të gjithë ata kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë sot, është edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar më shumë punë, për të hapur më shumë perspektivë me vende pune të mirëpaguara sidomos për të rinjtë është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën. Ne duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme e cila nuk shpik asgjë të re, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i BE-së duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE-së: lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”.

Kryeministri shqiptar deklaroi se pse duhet vendet e rajonit të jenë të ‘mbyllura’ me njëra-tjetrën derisa presin integrimin në BE kur, sipas tij, integrimi i njëjtë do të ndodhë edhe me futjen në BE, shkruan Klankosova.tv.

“Për çfarë arsye në botë ne duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri-tjetri siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë që rrugëtimi i secilit vend drejt BE-së ka kohën, ritmin dhe kushtëzimin e vet jo thjesht nga çfarë bëjmë ne por nga çfarë mendojnë të tjerët?”.

“Në momentin që ne integrohemi në BE do të bëjmë ekzaktësisht këtë që po bëjmë sot, pa BE-në. Nesër si pjesë e BE-së nuk do të ketë më diskutime të mundshme nëse këto katër liri do të zbatohen në rajonin tonë. Është sa për të ardhur keq aq edhe për të qeshur kur dëgjon evropianë në kryeqytete që pyesin me çudi ‘Çfarë po bëni ju?’. Ne nuk mund të lexojmë shifra, fakte dhe të dhëna para syve jo nga ekspertët e qeverive tona, por nga organizmat financiare e ndërkombëtare ku thuhet se nëse duam të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar ne mund ta rrisim atë deri në 2.5 përqind vetëm nga integrimi ekonomik ndërkohë që nëse ne arrijmë nivelin e marrëveshjes evropiane të tregtisë së lirë prodhimi jonë i përgjithshëm mund të shkojë në 6.7 përqind në rritje. Pse duhet t’ia privojmë këtë mundësi të jashtëzakonshme duke ndenjur secili brenda hapësirës së vet të vogël?”.