Sunny Hill Festival

Rasti i Agon Zejnullahut, gjykata vendos për rikthimin e 5 policëve në paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, vendosi që t’i kthejë në paraburgim pesë zyrtarët policorë që dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Rasti ishte në rigjykim nga 21 korriku, me kërkesë të mbrojtësve të tyre.

Në aktvendimin e fundit të Gjykatës Themelore thuhet se të dyshuarve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe se ajo do të llogaritet prej datës së ndalimit të tyre, më 7 korrik 2025, deri më 6 gusht 2025, shkruan Rel.

Aty, po ashtu, thuhet se “pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre”, ka “arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit”.

Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.

Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor.