Recension i romanit: Britmat e shpirtit – autore Kaltrina Maloku

Nga Fitim Nuhiu

Zakonisht kur vizitoj bibliotekën e qytetit, i bindem intuitës sime për të kapur librat që më rastisin të më dalin para meje. I tillë ishte fati i librit të rradhës, së Kaltrinës, që më mbërtheu dhe më intrigoi titulli, më bëri kurreshtar se çfarë britma mund të ketë një shpirt…?

Autorja edhepse ka shkruar me një gjuhë shumë të thjeshtë për publikun, prapëseprapë ka krijuar një narracion që lexuesit i jep një përshtypje të ndërlikuar, një përshtypje që e bën të mendojë se çfarë do të bëhet me fatin e protagonistes së romanit, që përdhunohet qysh në fëmijëri dhe ç’ngjan me jetën dhe fatin e saj kështuqë lexuesi s’mund ta braktis librin lehtësisht pa mbajtur frymën gjer në faqet e fundit të romanit.

Protagonistja e romanit, Tamara (dikur kishte emrin Zana) kishte një natyë të hekurt të një femre që nuk dorëzohet, që ka dy anë brenda një shpirti, një të dhimbsur e të njerëzishëm, që herëpashere ngre krye, por që jeta e detyron të krijojë edhe një anë tjetër të fortë, një shpirt të hekurt, pandjenja, hakmarrës, që t’i bëjë ballë sfidave për të mbijetuar, që jeta e ka mësuar qysh në fëmijërinë e saj.

Romani është përplot këshilla jetësore për të dy gjinitë, sidomos atë femërore, kleçkat dashurore, inatet, krenaria, dinjiteti i gruas karshi burrit, tundimet seksuale, etj.

Romani denoncon përdhunimet e ndryshme që i bëhen në vazhdimësi femrave (kudo nëpër botë) që njerëzit i heshtin dhe sensibilizon publikun si ti dilet në ndihmë personave të prekur nga kjo dukuri destruktive me pasoja të rënda në një shoqëri, sidomos si kjo e jona, që nuk është e emancipuar sa duhet dhe që paragjykimet janë evidente dhe diskriminimet janë skajshmërisht të mëdha dhe shtoja kësaj edhe mungesën e rehabilitimit të viktimave seksuale.

Autorja krijon një gjuhë të saj autoriale-personale, kur thotë, psh: pjesa ime e vdekshme… e shpjegon përse bën fjalë, që lexuesi kur e lexon më pas këtë shprehje, veçse e di kuptimin e saj.

Gjithashtu denoncon edhe shtetin e së drejtës, drejtësinë tonë shqiptare që nuk është e drejtë dhe që korruptohet lehtësisht nga kriminelë dhe banditë, që sigurisht koston pastaj e mbartë pala e dëmtuar dhe e pambrojtur, mjerisht.

Libri fokusohet tek ideja e hakmarrjes, tek ideja që kur dështon institucioni i drejtësisë me një vend, atëherë për të qetësuar britmat e shpirtit të përvuajtur, i duhet përvjelur mëngët personi i dëmtuar që ta marrë drejtësinë në duart e veta.

Autorja ka ndërtuar edhe narracion metafizik kur përmend rastin  që prej vuajtjeve të shumta që Tamara përjetoi, ajo krijon një iluzion, kinse po flet me nënën e saj të vdekur dhe gjente ngushëllim tek biseda që zhvillonte dëshpërimisht me të duke ndërthurur mjeshtërisht me realitetin – sytë e të dashurit të saj, Akilit.

Romani në qendër ka edhe një personazh homoseksual, ku autorja nuk ngurron ta kalitë me penën e saj, duke ia veshur tiparet më të njerëzishme të një njeriu, si psh, mirësjellja, besnikëria, ndihma, shoqëria e mirëqenë, gjë që në fund e prish paksa me disa rreshta banalë që nuk korrespondojnë me rrëfimin përkatës dhe se si promovon homoseksualizmin, nuk është që ndërlidhet siç duhej.

Përmendet Zoti, besimi në të, mosbesimi, tundimi nëse ekziston ose jo në raste të caktuara, duke bërë pyetjen, se ku ishe Zot kur më përdhunuan dhe mbaron tek ideja e besimit duke thënë: edhepse Zoti vonon por në fund të ndihmon me ndonjë engjëll mbrojtës, njerëz të mirë, etj.

Në fund romani mbaron me një optimizëm, me një shpresë, që e përdhunuara gjen qetësinë shpirtërore duke u hakmarrur (me njerëzit e saj) kundrejt armiqve të saj dhe hap një kapitull të ri të një jete të re, duke pritur një foshnje nga një dashuri e mirëqenë, duke krijuar një jetë të re, ama jo në trojet tona, por në Francë, në një vend të emancipuar, aty ku nuk do paragjykohej dhe do jetojë e lirë siç edhe e meriton të jetojë çdo njeri i dinjitetshëm.

19.03.2021