Rikthehen shërbimet në ambulancat specialistike në Kosovë

Shërbimet në ambulancat specialistike në Kosovë kanë filluar nga e hëna.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi ka thënë se situata epidemiologjike ka lejuar dhe mundësuar rikthimin e të gjitha shërbimeve mjekësore.

“Pas shumë muajsh dhe javësh masash sot kemi lajme të mira. Ato janë që situata epidemiologjike lejon dhe ia mundëson SHSKUK-së rikthimin e të gjitha shërbimeve mjekësore. Nga sot kanë filluar shërbimet në ambulancat specialistike, ndërsa dje drejtorët janë këshilluar që konform numrit të pacientëve, të fillojnë me shërbime”, ka thënë ai në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë vizitës së tij, të hënën në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Si ka thënë Zemaj, gjatë vizitës së tij, në kuadër të lirimit të masave janë rikthyer edhe disa shërbime.

“Siç e dini, Qeveria ka propozuar lirimin e disa masave e bashkë me këtë edhe rikthimin e disa shërbimeve. Sot, bashkërisht me drejtorin dhe stafin tjetër, pamë për së afërmi pacientët dhe përkushtimin e stafit”, ka thënë ai.

Sipas Zemajt, vizita synon ta përçojë mesazhin për zbatimin e masave.

“Lirimi i masave na ngarkon me përgjegjësi shtesë, që të jemi më të kujdesshëm, vigjilent e të përkushtuar”, ka thënë ai.