Rritje alarmante e rasteve me COVID-19, 21 mijë raste të reja dhe 273 të vdekur vetëm gjatë muajit mars

Rritja e rasteve me COVID-19 gjatë muajit mars ka qenë alarmante, teksa edhe numri i personave të infektuar të cilët kanë vdekur ka qenë mjaft i lartë.

Gjatë 31 ditëve të muajit mars në Kosovë janë konfirmuar 21 mijë e 59 raste të reja me coronavirus, ndërkaq numri i të vdekurve në këtë muaj ka qenë 273.

Sipas statistikave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në baza ditore, numri i të shëruarve gjatë marsit 2021 ka qenë 14 mijë e 564 persona.

Krahasuar me numrin e të infektuarve në dy muajt e parë të këtij viti, në mars numri i rasteve të reja është rritur për mbi 10 mijë.

Gjatë janarit 2021, në Kosovë ishin konfirmuar 8 mijë e 790 raste me COVID-19, ndërkaq kishin vdekur 163 persona të infektuar.

Kurse, në shkurt 2021 numri i të infektuarve ishte 9 mijë e 12, dhe i të vdekurve 100.

E përsëri gjatë marsit pati më shumë raste të reja dhe më shumë persona të vdekur sesa gjatë janarit e shkurtit bashkë.

Edhe shifrat e të vdekurve janë rritur dukshëm gjatë marsit, ku vetëm nga data 22 mars e deri më 28, pra për një javë 80 persona humbën betejën me COVID-19, shkruan Telegrafi.

Megjithëse numri i rasteve të reja po shkon duke u rritur, ku dje më 31 mars ishte edhe numri më i lartë të infektuarve brenda 24 orëve ku u konfirmuan 923, nga Ministria e Shëndetësisë i kanë thënë Telegrafit se masat kundër COVID-19 janë ato të cilat janë të ditura deri më tani.

Në anën tjetër, sot është dita e katërt prej kur ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor dhe personave të rrezikuar në dy qendra, në palestrën sportive “1 Tetori” dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Kurse vaksinimi i stafit shëndetësor nëpër komuna të tjera të Kosovës, me kujdesin dytësor shëndetësor pritet të fillojë në fund të kësaj jave.

Në raportin e fundit të IKSHPK-së, atë të datës 31 mars 2021 është bërë e ditur se nga fillimi i pandemisë e deri më sot numri total i rasteve pozitive është 90.430 raste nga 425.850 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.872 raste të vdekjes.

Kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 74.754 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.804.