Sunny Hill Festival

Rrushi, superushqimi i radhës

Për vite me radhë, rrushi është parë me dyshim për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit, shpesh i përjashtuar nga këshillat ushqimore në favor të frutave të tjera, ka raportuar YNETNEWS.

Por një studim i ri, i publikuar në Journal of Agriculture and Food Chemistry, po sfidon këtë ide, duke e vlerësuar rrushin si frutë me potencial të madh shëndetësor, madje duke e cilësuar edhe si “superushqim”.

Autor i studimit është profesori John Pezzuto, një nga studiuesit kryesorë të resveratrolit, antioksidantit të fuqishëm që gjendet në lëkurën e rrushit, i cili ka hulumtuar ndikimin e tij në shëndetin e zemrës, uljen e inflamacionit dhe parandalimin e kancerit.

“’Superushqimi’ është term që përdoret shpesh, por pa një përkufizim shkencor zyrtar. Megjithatë, rrushi meriton vlerësim në të njëjtin nivel me fruta të tjera të njohura për përfitimet e tyre, siç janë manaferrat”, ka shkruar Pezzuto në përmbledhjen e tij.

Rrushi përmban mbi 1,600 komponime bioaktive, mes tyre flavonoide, antocianidine, kateçina, acide fenolike dhe vetë resveratrolin. Studiuesit theksojnë se kombinimi unik i këtyre përbërësve, dhe jo një element i vetëm, është çelësi i efekteve pozitive.

Më shumë se 60 studime kanë treguar ndikimin e rrushit në shëndetin e njeriut.

Përfitimet përfshijnë përmirësimin e qarkullimit të gjakut, funksionin e enëve të gjakut, rregullimin e kolesterolit dhe mbrojtjen e trurit.

Po ashtu, rrushi lidhet me përmirësim të metabolizmit, funksioneve të aftësive njohëse dhe shëndetit të lëkurës, duke ulur dëmet nga rrezet ultra vjollce duke mbrojtur qelizat nga dëmtimi i ADN-së.

Konsumimi i rregullt i rrushit ndikon edhe në shëndetin e zorrëve, duke rritur diversitetin e mikrobiomës, ndërsa disa studime sugjerojnë se mund të ndihmojë edhe shikimin, përmes rritjes së densitetit të pigmentit makular.

Edhe fusha e nutrigjenomikës, e cila studion ndikimin e ushqimit në shprehjen e gjeneve, ka treguar se rrushi mund të ndryshojë pozitivisht aktivitetin gjenetik në sisteme të ndryshme të trupit.

“Sipas shkencës, rrushi është vërtet superushqim dhe duhet të njihet si i tillë”, ka thënë Ian LaMey, president i Komisionit të Rrushit të Tryezës në Kaliforni.

Megjithatë, jo të gjithë ekspertët pajtohen me këtë entuziazëm.

“Termi ‘superushqim’ është kryesisht një koncept marketingu. Rrushi ka cilësi të shkëlqyera ushqyese, por nuk duhet t’i atribuojmë veti të jashtëzakonshme vetëm një frute. Ai është më i vlefshëm si pjesë e një diete të larmishme, sidomos të stilit mesdhetar”, ka thënë Shir Alfi-Seger, dietologe klinike në Clalit Health Services, Izrael.

Ajo paralajmëron edhe për përmbajtjen e lartë të sheqerit, veçanërisht për personat me diabet ose probleme me sheqerin në gjak.

“Duhet konsumuar me masë dhe, kur është e mundur, të shoqërohet me proteina ose yndyra për të ulur rritjen e menjëhershme të sheqerit në gjak. Në fund, rrushi mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme, por përfitimet varen nga gjithë stili i jetesës, jo vetëm nga një ‘ushqim magjik’”, ka theksuar ajo.