Rukiqi: Mosmiratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në ekonomi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka thënë se vonimi i miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje rrezikon që vendin ta shpije në një kolaps ekonomik.

Ai thotë se dëmet që mund të shkaktohen nga vonesa e miratimit të këtij Projektligji, siç janë mbyllja e bizneseve apo humbja e vendeve të punës, do të jenë të pariparueshme.

“Sa më shumë që po vonohet votimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, kriza po thellohet dhe pastaj kur të fillohet është shumë vështirë të rikuperohet. Disa dëme janë të pariparueshme. Nëse vijmë në situatë për t’u mbyllur mijëra biznese, dhe mijëra vende pune, ato  nuk i rregullon asnjë ligj dhe përkrahje financiare. Ne jemi në fazë shumë delikate dhe e secila ditë po bëhet më e vështirë”, tha Rukiqi.

Ai ka kritikuar deputetët e Kuvendit, që sipas tij, nuk kanë vullnet për ta miratuar Projektligjin, duke shtuar se mirëqenia e tyre dhe militantëve që kanë punësuar nuk është rrezikuar, por, se shumica e qytetarëve janë prekur nga kriza që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

“Ajo që unë po shoh te skena politike është dështimi për ta lexuar situatën. Shumica prej tyre nisen prej një pozicioni komod që e kanë. Përderisa ata nuk janë të ndikuar nga kriza, për këtë pjesë të skenës politike pozitë dhe opozitë, nuk ka një lloj urgjence për të vepruar. Situata është shumë ma ndryshe se është shkaktuar nga pandemia dhe janë globale. Këto raste i kemi këtu dhe mund të shumëfishohen dhe pastaj nëse nuk intervenohet në kohën e duhur me mekanizma të duhur ne do ta shohim një kolaps ekonomik shumë shpejt”, shtoi ai.

Sipas Rukiqit, në bazë të dhënave zyrtare krahasuar me vitin e kaluar këtë vit për shkak të pandemisë dëmi i përgjithshëm në ekonomi ose rënia e qarkullimit tek bizneset ka arritur vlerën 1 miliard euro.

“Ne kemi një raport zyrtar nga ATK-ja dhe nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar në periudhën prej kur jemi në masa kufizuese për shkak të pandemisë ka mesi i marsit dhe muaji gusht dëmi i përgjithshëm në ekonomi ose rënia e qarkullimit tek bizneset ka arritur vlerën 1 miliard euro. Kjo reflektohet edhe në performacën ekonomike të vendit apo në bruto prodhimin vendor gjë që do të reflektojë në një tkurrje ekonomike që do të jetë jo më e vogël se 5%. Për neve është shumë sepse na pamundëson të mbajmë trendin që e kemi pasur të rritjes ekonomike”, tha Rukiqi për Ekonomia Online.

Ai tha se bizneset nuk kanë mundësi ta paguajnë pagën që e kanë paguar para pandemisë dhe nëse nuk kalon Projektigji duhet të diskutohet për mekanizma të tjerë.