Nesër në 10:00 deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë do të mblidhen për konstituimin e Kuvendit.
Kuvendi para pak minutash kujtoi edhe një herë mbledhjen e rëndësishme, duke dërguar një njoftim për mediat.
Ky do të jetë rendi i ditës:
1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka thënë ende se ka një emër për kryeparlamentar, të cilin kjo parti duhet ta propozojë nesër në këtë seancë.
Për koalicion qeverisës, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk duan bashkëpunim me partinë e Albin Kurtit.
PDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë as kryeparlamentarin e propozuar nga LVV-ja, LDK-ja thotë se dikush që s’i ka 61 vota nuk do të duhej të ishte fare kryetar i Kuvendit, ndërsa AAK-ja tha se mund ta votojë.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se kjo parti “do ta luajë rolin e vet” në krijimin e institucioneve të reja, por theksoi se ende nuk ka marrëveshje me LVV-në.