Kuvendi do ta vazhdojë seancën konstituive të enjten, nga ora 12:00.
Njoftimi është bërë pak kohë pasi presidenca shprehu qëndrimin se Kuvendi duhet ta vazhdojë seancën e ndërprerë të martën, në letërpërgjigjen ndaj kryesuesit Avni Dehari, i cili kërkoi udhëzime nga kreu i shtetit.
E, në këtë përgjigjen drejtuar deputetit të zgjedhur Avni Dehari, si kryesues i seancës, presidentja Vjosa Osmani ka cituar aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, me të cilat thotë se ai dhe të gjithë deputetët janë të obliguar të gjejnë vetë mënyra për ta bërë Kuvendin funksional.
Presidentja ka shprehur gatishmërinë edhe që t’i mirëpresë Deharin dhe kryetarët e partive politike në rast se e kanë të nevojshme.
E, sipas Rregullores së Kuvendit, ndërprerjet e seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se të enjten duhet të vihet në votim Raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, i cili nuk u miratua të martën e për pasojë u ndërpre seanca.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, betimit të tyre, zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve.