Sekuestrohen 45 kg ari në Pejë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, Policinë dhe Doganën, ka realizuar të premten aksion të gjerë inspektimi te operatorët ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara në rajonin e Pejës, duke sekuestruar 45 kilogramë ari. Në bursën ndërkombëtare, një sasi e tillë ari shkon afër 7 milionë euro. 

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, qëllimi i këtij operacioni ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara dhe respektimit të standardeve teknike sipas legjislacionit në fuqi.

Gjatë kontrolleve në terren, sipas njoftimit,  inspektorët dhe zyrtarët e institucioneve pjesëmarrëse evidentuan shkelje të rënda ligjore.

“Ndalim i përkohshëm i mallrave – IQMT ndaloi mbi 20 kg ari të paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Kjo sasi do të mbetet e bllokuar deri në përfundimin e procedurave ligjore. Sekuestrim i metaleve të çmuara – Janë sekuestruar mbi 25 kg punime të ariut dhe metaleve të tjera të çmuara, për të cilat operatorët ekonomikë nuk kanë prezantuar dokumentacionin e nevojshëm mbi prejardhjen”, thuhet në njoftim.

IQMT-ja thekson se tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë dhe pa dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe të ndëshkueshme. Inspektorati paralajmëron se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Kosovës, dhe çdo parregullsi do të ndëshkohet sipas ligjit.