Selimi: Njerëzit po vdesin, jo vetëm nga infektimi, por edhe pa ndihmën e Qeverisë

Kryetari i Grupit Parlamentar nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Hoti, për “keqmenaxhimin” e situatës me pandeminë.

Sipas tij, menaxhimi ka dalë jashtë kontrollit dhe shifrat janë “alarmante”.

“Njerëzit po vdesin, jo vetëm nga infektimi, por edhe pa ndihmën e Qeverisë. Kriza ka metasazuar në shumë dimensione. Kriza morale, ku jeni zhytur ju si qeveritarë, po rrezikon jetën e qytetarëve. Ndoshta nuk keni kohë të merreni me menaxhimin e pandemisë dhe efekte të krizës ekonomike sepse shumë pazare duhet t’i mbani në ekuilibër”, ka deklaruar Selimi. Deputeti theksoi se Qeveria Hoti s’ka si të shihet ndryshe veçse si e “dështuar” në përmasa tragjike, të cilat sipas tij janë të pasqyruara në të dhënat e përditshme mbi numrin e të infektuarve dhe atyre qe kanë humbur jetën.

“Që kur erdhët në qeveri e sollët situatën në rekorde të zeza. Këto janë statistika lufte, ku vriteshin 16 në një ditë. Ndërsa ju i kaloni këto ditë në qetësi e duke i fajësuar qytetarët e policinë për situatën”, theksoi ai.

Selimi ka rikujtuar se gjatë qeverisjes së Kurtit, ata kanë sjellë situatën e pandemisë në zero raste ditore. E quajti një arritje me përmasa globale.