Për të dytën herë, deputetët kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Por, pas konsultimit, ai tha se nuk ka konsensus se si të vazhdohet tutje, duke njoftuar se seanca do të vazhdojë më 19 prill në orën 12:00.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Këto parti insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje me qëllim që të betohen si deputet, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.