Shënohet viktima e 13 nga koronavirusi në Shqipëri

Është shënuar viktima e 13 nga Covid-19 në Shqipëri. Ndërkohë numri i të prekurve ka shkuar në 243.

Mira Rakacolli, Zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dha detajet:

Në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste, njofton tch.

Mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv një paciente 82-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 62 vjeçar nga Durrësi, të konfirmuar me COVID-19, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Shkon në 13 numri i personave që kanë ndërrur jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve.

Ju informojmë se aktualisht, në shërbimin infektiv aktualisht janë 77 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar.

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Mirditë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.