Si do të përfitojnë bizneset nga 60 milionëshi i Qeverisë?

Bizneset të cilat kanë pasur humbje si pasojë e pandemisë me COVID-19 do të ndihmohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë kompanitë.

Për këto biznese, nga ky Fond i cili kap vlerën e mbi 350 milionë euro, do të ndahen 60 milionë euro.

Në listën e përfituesve të kësaj shume prej 60 milionë eurove janë mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.

Nga kjo listë e bizneseve, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga një komision ndërministror, siç tregon zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, do të largohen ndërmarrjet publike dhe bizneset të cilat e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët.

Nga shuma prej 60 milionë euro do të përfitojnë të gjitha kompanitë tjera private.

Pasi që të pastrohet kjo listë e kompanive dhe dihet saktë numri i bizneseve dhe punëtorëve të punësuar në ato kompani, atëherë bëhet një përllogaritje sa janë përfitimet në shumën e ndarë prej 60 milionë euro.

Vlera prej 60 milionë euro, siç tregon Krasniqi, pjesëtohet me numrin total të të punësuarve të regjistruar për çdo kompani.

Nëse një kompani i ka të punësuar 100 punëtorë, atëherë nëse shuma për punëtorë do të jetë 300 euro, ajo kompani do të marrë 30 mijë euro.

Bizneset pretendente për të përfituar këtë ndihmë nga Qeveria e Kosovës nuk do të kenë nevojë të aplikojnë tek institucionet përkatëse, pasi që ndarja e mjeteve do të bëhet në bazë të listës së numrit të punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019, ndërkaq për bizneset e reja merren të dhënat e muajit korrik të vitit 2020.

Mbi këtë kriter do të ndahen këto mjete si subvencion për subvencionimin e linjës së pagave për bizneset aktive.

Kriteret për të ndihmuar këto biznese janë përcaktuar pas diskutimeve që Qeveria e Kosovës i ka zhvilluar me odat ekonomike në Kosovë, të cilat përfaqësojnë bizneset në vend.

Këto mjete, më 28 shtator është thënë nga autoritetet e Kosovës, se janë në dispozicion dhe pas kësaj date për disa ditë Ministria e Financave do të procedojë me pagesa nëpër llogaritë e bizneseve.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në pjesën e dytë të muajit tetor dhe nëntor pritet të ndahen edhe ndihma të tjera financiare për bizneset.

Biznese të intervistuara nga Radio Evropa e Lirë në vazhdimësi kanë folur për humbje të mëdha që i janë shkaktuar si pasojë e pandemisë me COVID-19.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës dhënë Radios Evropa e Lirë, bizneset në Kosovë kanë pasur afër 900 milionë euro më pak qarkullim gjatë periudhës mars-korrik, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zhvillimet e pafavorshme në ekonomi janë reflektuar edhe në të hyrat buxhetore, ku gjatë periudhës janar-korrik 2020, të hyrat totale buxhetore kanë shënuar një rënie prej më shumë se 11 për qind apo rreth 120 milionë euro më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kjo normë e rënies, sipas Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, pritet të karakterizojë fundin e vitit 2020, me rreth 300 milionë euro më pak të hyra për buxhetin e Kosovës.

Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish -kryeministri, Albin Kurti.

Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë në vitin 2020. /Rel/