Sistemi i ri i FFK-së për U11 dhe U13 nis me lëshime organizative!

Sistemi i ri i garave për moshat U13 dhe U11, i aplikuar për herë të parë këtë vit nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), po del të mos jetë i organizuar si duhet.
Në një ndeshje zyrtare të këtyre moshave, në kuadër të Lidhjes Rajonale të Prishtinës, janë parë pamje jo të denja për futbollin modern: porta të improvizuara me kunja dhe fusha të shënuara me kona, ngjashëm si në vitet e 90-ta, kur futbolli luhej në kushte minimale.


FFK nga ky stinor ka startuar me sistemin e ri, ku për grupmoshat U11 formati i lojës është 10 kundër 10, ndërsa për U13 është 9 kundër 9, me fusha të zvogëluara për të dy moshat. Sa i përket zhvillimit të fëmijëve, ky format është treguar i dobishëm dhe i përshtatshëm, megjithatë organizimi dhe planifikimi i garave ka lënë shumë për të dëshiruar.


Gazeta Stop do të vazhdojë ta ndjekë këtë temë, për të parë nëse FFK do të ndërmarrë masa për ta ngritur nivelin e organizimit të garave për gjeneratat e reja të futbollit kosovar.