Skuadra nga Dobraja stërvitet në Lipjan e do të luajë në Obiliq

Është fshati i vetëm në Kosovë që do ta ketë ekipin e futbollit në Superligë, në edicionin 2020/2021 dhe ndër fshatrat e pakta që e arriti një sukses të tillë deri më tani.

Bëhet fjalë për Dobrajën e Madhe, që është ndër fshatrat më të mëdha në Komunën e Lipjanit.

Deri në fillim të viteve ‘90, klubi i futbollit nga ky fshat quhej “Përparimi”. Ai ishte themeluar në vitin 1977. Pas riaktivizimit të klubit në vitin 1997, klubi mban emrin Arbëria.

Falë pozitës së dytë në Ligën e Parë, në momentin e ndërprerjes së kampionatit shkaku i pandemisë, Arbëria e siguroi inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar, për herë të parë në histori. Klubi nga Dobraja e Madhe është përballur me vështirësi në të kaluarën. Madje për disa vjet e kishte ndërprerë aktivitetin shkaku i financave. Në gara u kthye në vitin 2016, pas gjashtë vjetësh pauzë, kurse tani do të garojë në elitë.

E veçanta e Arbërisë është se ndeshjet dhe stërvitjet deri me tani i ka zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, zyrat e klubit i ka në qendër të Lipjanit, ndërkaq stadiumin e ka në fshat, por që nuk i plotëson kushtet, sidomos për Superligë.

Drejtori sportiv, Labinot Gashi, që ka qenë edhe kapiten i skuadrës, deklaroi për KOHËN se për të arritur në Superligë ka qenë sakrificë e madhe e shumë gjeneratave.

“Ka qenë një sakrificë e madhe, duke i ditur rrethanat që kanë qenë në futbollin e Kosovës. Nuk kanë qenë kushtet adekuate që t’i arrijmë sukseset që i kemi tash. Tani i kemi kushtet shumë të mira, apo mesatarisht të mira në raport me të gjitha ekipet e Superligës”, ka thënë Gashi.