Sokol Bashota, dënohet me gjashtë muaj burgim me kusht

Ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1200 euro gjobë nga Gjykata e Pejës, Dega në Klinë. Ndërsa, ish-nënkryetari i saj, Enver Berisha, është dënuar me burg prej gjashtë muaj, me afat verifikimi prej 1 viti dhe 1200 euro gjobë.

“Gjykata pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor, Sokol Bashota nuk e ka deklaruar pasurinë e paluajtshme sipas Ligjit dhe është vërtetuar nga administrimi i provave personale dhe materiale ” ka thënë gjykatësja Sabrije Rraci.

Gjykata nuk ka vendosur rreth propozimit për ndalimin e ushtrimit të funksioneve zyrtare, raporton Betimi për Drejtësi.

Bashota është akuzuar se nga viti 2013 deri më 2016, nuk kishte deklaruar banesën 79 metra katror në Prishtinë dhe veturën BMW X5.

Ndërsa, Berisha është akuzuar nga 2015 gjerë në mars të vitit 2016 se nuk kishte deklaruar tokën në zonën kadastrale Dresnik të Komunë së Klinës, në sipërfaqe prej 5.500 m2.