Xhavit Haliti

Sot afati i fundit për ankesa në PZAP

Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit për subjektet dhe kandidatët për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa para së të bëhet certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

Një ankesë tashmë e ka paralajmëruar kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, Igor Simiq, pasi të shtunën me dy vota kundër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe me pjesën tjetër të anëtarëve të KQZ-së që abstenuan nuk u miratua lista e kandidatëve të kësaj partie. 

Ligji për Zgjedhjet e parasheh që për trajtimin e ankesave, PZAP-ja i ka katër ditë afat.

E dy ditë pas marrjes së vendimit, palët kanë të drejtë të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, derisa gjykata i ka tri ditë kohë për vendimmarrje.

Andaj me përllogaritjen e afateve ligjore i bie që vendimmarrja finale mund të zgjasë deri në mesin e shkurtit.

Në partinë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosje, thonë se prioritet pasi përfundon certifikimi do të jetë votimi i buxhetit për vitin 2026.

“Jam i bindur që kemi nevojë për urgjencë për shkak se kemi nevojë ta miratojmë buxhetin e Republikës së Kosovës. Janë ditët e fundit, ju e dini që vetëm edhe muaji shkurt mund të jepen pagat në të gjithë sektorin publik, 85 mijë qytetarë të cilët janë në këtë sektor. Andaj është urgjencë që sa më shpejt të miratohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026”, ka thënë deputeti i zgjedhur Mefail Bajqinovci.

Sipas tij, Qeveria do të bëhet shpejt, por shpreson që të mos ketë probleme edhe për votimin e presidentit.

“Është herët të flasim, por po shpresoj që partitë opozitare do të reflektojnë dhe do të ketë mirëkuptim që të mos bëhet sikurse në të kaluarën. Ju e patë, 11 muaj e bllokuan Kuvendin e Republikës së Kosovës, por edhe krijimin e qeverisë Kurti, por edhe krijimin e qeverisë Konjufca, por edhe ashtu për zonjën Albulena Haxhiu. Por do të kalojmë dhe mos të kemi telashe apo bllokadë apo shkuarjen në zgjedhje, por do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, është shprehur ai.

Procedurat për zgjedhjen e presidentit duhet të nisin jo më vonë se 30 ditë para mbarimit të mandatit të presidentes aktuale.

Vjosa Osmani ka mandat deri më 4 prill 2026.  Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të shtunën. Në këtë institucion u zhvillua votim i ndarë, pas të cilit miratim nuk mori lista e kandidatëve të Listës Serbe. Kjo nxiti edhe reagime. 

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, e ka cilësuar të jashtëligjshëm refuzimin që KQZ-ja ia bëri shpalljes së rezultateve përfundimtare për këtë subjekt politik.

Këtë refuzim ai e cilësoi si të motivuar politikisht.

Simiq ka paralajmëruar se Lista Serbe do të ankohet në PZAP.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim e ka cilësuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos njohur rezultatin e Listës Serbe si arbitraritet institucional dhe praktikë tërësisht të kundërligjshme.

Sipas Cakollit, shqetësimi kryesor ka të bëjë me precedentin që po krijohet.

“Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen në mënyrë selektive. Kështu procesi zgjedhor pushon së qeni proces ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve”, ka përfunduar ai.

Shpallja e rezultateve u bë pas rinumërimit, gjatë të cilit u konstatua manipulim me vota të kandidatëve për deputet. Lidhur me tjetërsimin e votës u aktivizuan institucione të sigurisë e drejtësisë. U arrestuan dhjetëra persona në disa rajone.