Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Seanca mbahet në Gjykatën Themelore, në ora 09:00.
Në seancat e kaluara ka nisur paraqitja e provave dhe shfaqja e video-incizimeve të ditës kritike kur u vra Liridona Ademaj.
Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Në mesin e të akuzuarve për këtë krim është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen.
Sipas Prokurorisë, Murseli i kishte premtuar Granit Plavës shumën prej 30 mijë euro për ta kryer vrasjen.
I akuzuar tjetër në këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla, i cili dyshohet për përfshirje në organizimin e krimit.