Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot në orën 18:00 do të nisë numërimi i votave me postë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Numërimi do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Ju njoftoj se sot (e premte, 17 tetor 2025, ora 18:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve fillon numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Më herët gjatë ditës Elezi ka njoftuar se procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, është drejt fundit.
“Procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 33,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 29,000, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,900. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,328 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka theksuar Elezi.