Sunny Hill Festival

Sot përpjekja e 22-të për konstituim të Kuvendit

Për herë të 22-të do të mblidhen deputetët e zgjedhur më 9 shkurt në përpjekje për të konstituuar legjislaturën e nëntë.

Seanca do të mbahet prej orës 11:00.

Që nga 15 prilli, deputetët janë bllokuar në pikën e tretë të seancës konstituive – atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit. Teksa fillimisht nuk mund të bëhej shumica për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje, tash partia fituese e zgjedhjeve po kërkon votimin e një komisioni për të mbajtur votim të fshehtë. Edhe kjo nuk po merr shumicën dhe seancat po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores.

Në 48 orët e fundit nuk është vënë re ndryshim qëndrimesh. Madje kryetari i LVV-së, Albin Kurti, fajësoi partitë që deri tash ishin në opozitë për ngërçin politik. Ai ka thënë se zgjidhja është votimi i fshehtë, teksa për emrin e Haxhiut u shpreh se “nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje”.