Deputetët e Kosovës do të mblidhen edhe sot, në tentativën e 23-të për konstituimin e Kuvendit.
Ngërçi politik po vazhdon tash e disa muaj, ndërsa procesi ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Albulena Haxhiu, kandidatja për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje nuk po i merr votat e nevojshme për këtë pozitë.
PDK dhe AAK kanë deklaruar se LVV duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar, gjersa nga LDK kanë theksuar se nuk do ta votojnë asnjë kandidat.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka vënë në votim themelimin e një Komisioni zgjedhor në Kuvend, që do t’i hapte rrugë votimit të fshehtë për kryetarin e këtij institucioni.
E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një kërkese drejtuar Kushtetueses, ka shprehur shqetësimet e saj mbi procedurat e ndjekura gjatë krijimit të komisionit, duke e vënë në dyshim përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë për Telegrafin se lënda në fjalë është aktualisht në shqyrtim.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Ndërkaq, në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar edhe komentet e deputetëve të Kuvendit në lidhje me kërkesën e dorëzuar nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e cila bashkë me 10 deputetë të tjerë ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së një vendimi të marrë më 5 maj 2025.
Ndryshe, AAK ka insistuar se krijimi i komisionit për votim të fshehtë nuk ka qenë në përputhje me procedurat kushtetuese, dhe ka kërkuar që Gjykata të sqarojë ligjshmërinë e veprimit në fjalë.