Sot pritet të merret vendim për ngritjen e çmimit rrymës, protestë në Prishtinë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji sot do të mbajë mbledhje në të cilën pritet të merret vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike, i cili do të hynte në fuqi më 1 maj.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se sot duke filluar nga ora 10:00, do të mbaj seancën e tretë për këtë vit, në të cilën në rend dite është shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OST/OT, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OSSH, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për FSHU dhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve.

Drejtori i ZRrE-së, Petrit Pepaj ditë më parë ishte shprehur se bursa është shkaktari kryesor i rritjes së çmimit të rrymës.

Ai tha se arsyeja kryesore e propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike, është për shkak të rritjes së çmimit në bursë.

Pepaj theksoi se ZRRE-ja është munduar që pavarësisht kostos, qytetarët të kenë energji elektrike dhe se ata nuk kanë dëshirë e as vullnet të vendosin pa arsye, barrë mbi qytetarët.

Paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 15%, kanë nxitur reagimin e qytetarëve.

Të shtunën e kaluar më 5 prill u protestua në Prishtinë, ku u kërkua që të mos merret vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

E një protestë e njëjtë do të mbahet sërish nesër në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet me fillim nga ora 12:00.

Aktivisti i Iniciativës “Asnjë Cent Më Shumë”, Besnik Shabiu ka ftuar qytetarët për mobilizim për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shprehur zhgënjimin ndaj institucioneve për mungesën e vullnetit për dialog dhe përzgjedhjen e gjuhës së arrogancës në vend të bashkëpunimit.

Sipas Shabiut, kërkesat për debat publik janë refuzuar, ndërsa propozimet me analiza dhe zgjidhje konkrete janë shpërfillur ose janë dërguar qëllimisht në adresa të pasakta.

Ai thekson se pas protestës së 5 prillit, autoritetet kanë filluar të ndryshojnë mënyrën e komunikimit, duke përdorur, sipas tij, “lojëra fjalësh” për të justifikuar vendimin për rritjen e çmimeve.

“E vetmja mënyrë për të vazhduar komunikimin është që të tërhiqet menjëherë vendimi për rritjen e çmimit të energjisë. Vetëm atëherë mund të ulemi dhe të diskutojmë si qytetarë të barabartë,” ka deklaruar ai.

Me moton #asnjecentmëshumë, organizatorët kërkojnë të dërgojnë një mesazh të qartë se qytetarët nuk do të pranojnë vendime që rëndojnë më tej barrën ekonomike të familjeve.  /Telegrafi/