Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) do të protestojë sot, duke shprehur kështu pakënaqësitë e tyre lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna tha se protesta e sotme është vetëm hapi i parë, transmeton Telegrafi.
“Do të ketë mbyllje të hyrjeve dhe daljeve të qytetit nga ora 10:00 deri në 12:00 të Prishtinës, si hap i parë për të shprehur pakënaqësitë tona për dalje në tregun e lirë. Jemi munduar t’i japim rrugë dialogut, por nuk kemi hasur… Të enjten është hapi i parë, protestat nuk do të ndalen. Shpresojmë të reflektojnë, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, me këtë proteste jo vetëm po e mbrojmë biznesin por edhe qytetarët, që të mos ulët standardi jetësor”, u shpreh Rafuna.
Ai po ashtu tha se është krijuar monopol, pasi operon vetëm KEDS.
“Nuk jemi kundër daljes së tregut të lirë, por na duhet një tranzicion, nuk mundemi brenda muaji”, tha ai, duke shtuar se iu nevojitet rreth 1 vit për të bërë përgatitjet e duhura.
Rafuna potencoi se kanë marrë leje nga policia dhe se kjo është protestë vetëm e bizneseve.
Këto do të jenë hyrjet dhe daljet që do të bllokohen.
Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani do të bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut
Hyrja nga Fushë Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të madh te Lakrishtja
Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit.
Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka njoftuar se të enjten, më 29 maj 2025, nga ora 10:00 deri në 12:00, do të mbahet një protestë e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me pjesëmarrje të bizneseve të ndryshme nga vendi.
Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet në formë të një qëndrimi të qetë dhe përfshin bllokimin e pjesshëm të disa rrugëve kryesore hyrëse në kryeqytet, përmes vendosjes së automjeteve të rënda nga kompanitë pjesëmarrëse.
Qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për vonesat e mundshme dhe u sugjerohet të shmangin këto rrugë gjatë orarit të protestës.
Policia thekson se protesta është paralajmëruar brenda një afati të shkurtër dhe se është mbajtur një takim koordinues me organizatorët, gjatë të cilit janë rikujtuar obligimet ligjore dhe ndalimi i bllokimit total të rrugëve.
Qytetarët ftohen të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qetë të protestës dhe ruajtjen e rendit e sigurisë publike.