Sunny Hill Festival

Sot tentimi i 30-të për konstituimin e Kuvendit

Për herë të 30-të deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë do të mblidhen të mërkurën në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për 29 herë, Kuvendi deri tash ka dështuar ta zgjedhë kryeparlamentarin dhe të vazhdohet me formimin e Qeverisë. E për shkak se partitë s’kanë treguar ndryshim qëndrimesh, nuk pritet që përpjekja “jubilare” të sjellë ndryshime.

Përpjekja e 30-të do të nisë me fillim prej orës 11:00. Në fillim të përpjekjeve, Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve pati propozuar emrin e Albulena Haxhiut kryeparlamentare. Pasi ajo nuk mori shumicën në disa tentime, VV-ja propozoi formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk ka marrë mbështetjen e partive që deri tash ishin në opozitë.

Partitë opozitare i kanë kërkuar ndryshim emri VV-së. Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se mund të votojë emra të tjerë, jashtë kabinetit të Qeverisë Kurti 2, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se mund ta votojë Saranda Bogujevcin dhe Shqipe Selimin. Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ta votojë cilindo emër që del nga VV-ja.

Zgjedhjet janë mbajtur më 9 shkurt. Pra më shumë se katër muaj, Kosova nuk ka Kuvend të konstituuar. E në radhët e VV-së tashmë është përmendur propozimi që të ketë prapë zgjedhje parlamentare e si datë është përmendur dita e njëjtë me zgjedhjet lokale, tash të caktuara për 12 tetor.