Spitali Amerikan nuk kreu asnjë operim falas në 7 vjet

Spitali Amerikan, që funksionon në oborrin e QKUK-së qe 7 vjet, nuk paguan asgjë për shfrytëzimin e pronës 1.5 hektarësh të Komunës së Prishtinës. Por, kontrata mbi të cilën është ngritur e obligonte që për pacientët e përzgjedhur nga Komuna e Prishtinës ky spital të ofronte shërbime e të kryente operime pa pagesë. Deri më tani do të duhej të operoheshin falas rreth 350 pacientë e të kontrolloheshin falas rreth 3.000 qytetarë. KOHA ka mësuar që këto kushte të kontratës nuk janë zbatuar asnjëherë.
Ka mbi 7 vjet që një spital privat ka filluar funksionimin në pronën e Prishtinës, që është në oborrin e qendrës më të madhe publike spitalore në Kosovë.

Prona 1.5 hektarësh, siç ka mësuar KOHA, nuk ia ka sjellë asnjë përfitim të drejtpërdrejtë Komunës së Prishtinës.

E në vitin 2005, kur kjo pronë u dha në shfrytëzim, kusht kishte që spitali që do të ndërtohej të ofronte një pjesë të shërbimeve pa pagesë për një numër të pacientëve që do t’i rekomandonte Komuna e Prishtinës.

“Qiramarrësi merr për obligim që në vitin e parë të punës për çdo muaj të kryejë, sipas kërkesës së qiradhënësit, nga dy operacione pa pagesë, ndërsa pas vitit të parë për çdo javë të kryejë nga një operacion pa pagesë, gjithnjë sipas listës së qiradhënësit. Qiramarrësi merr obligim që prej ditës së fillimit të punës për çdo ditë pune të kryejë nga një kontroll pa pagesë…”, thuhet në nenin 3 të kësaj kontrate.

Në këtë kontratë Komuna gjithashtu u garanton qytetarëve të Kosovës se kjo qendër do t’u bëjë zbritje për 5 për qind për shërbimet kardiale “nga çmimi i shërbimeve të ngjashme në klinikat simotra në rajon”.

Spitali Amerikan operon në këtë parcelë që nga nëntori i vitit 2015.

Me një llogaritje të thjeshtë i bie që ky spital do të duhej që në vitin e parë t’i kryente 24 operacione pa pagesë për qytetarët e Prishtinës. E pas vitit të parë deri më tani do të duhej të operonte rreth 330 pacientë.

Komuna e Prishtinës për këto vite ka pasur të drejtë t’i dërgojë rreth 2.700 pacientë për vizita falas në këtë spital.

KOHA ka dërguar pyetje tek Spitali Amerikan dhe ka telefonuar zyrtarët e saj të cilët kanë premtuar së do të kthejnë përgjigje, por një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Për këtë çështje janë pyetur edhe në Komunën e Prishtinës, por zyrtarët e saj nuk kanë dashur të deklaroheshin. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Ministria e Shëndetësisë.

Të tri institucionet janë pyetur se sa qytetarë të Prishtinës janë trajtuar pa pagesë në këtë spital, si është bërë përzgjedhja e tyre dhe nëse nuk janë trajtuar këta pacientë a është adresuar mosrespektimi i kontratës.

Lejimi i një spitali privat në hapësirat brenda QKUK-së dhe madje pa asnjë përfitim për Komunën ka qenë një nga temat me të diskutueshme vite me parë.

Fillimisht leja për shfrytëzim të pronës nga Komuna i është dhënë në vitin 2005, kur Prishtinën e ka udhëhequr LDK-ja. Kontrata për shfrytëzim ka qenë dhjetëvjeçare me opsion të vazhdimit edhe për dhjetë vjet të tjerë, gjë që është bërë në kohën kur ishte Vetëvendosja që udhëhiqte me Komunën e Prishtinës.

Për këtë spital vendime kishin marrë edhe dy ish-kryeministra të Kosovës. Ish-kryeministri Agim Çeku kishte nxjerrë vendim që asnjë spital privat nuk do të lejohej në afërsi të spitaleve publike me më pak se 1.5 kilometra, vendim që ishte shfuqizuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.