Te Barcelona fajësojnë gjyqtarin për eliminimin nga Interi

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ishte i mërzitur për disa vendime të gjyqtarit në humbjen 4:3 nga Interi, të martën mbrëma në “Giuseppe Meazza”. Humbja ia mohoi Barcelonës kualifikimin e parë në finale të Championsit që nga viti 2015.

Koha e rregullt përfundoi 3:3, rezultat që ishte edhe në ndeshjen e parë. Ndërkohë në minutën e nëntë të vazhdimit të parë, Davide Frattesi i Interit e shënoi golin e fitores dhe kualifikimit të madh.

Barcelona përmbysi rezultatin prej 2:0, kur Raphinha shënoi për 3:2 në minutën e 87-të. Francesco Acerbi barazoi shifrat në 3:3 në minutën e tretë shtesë për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.

Flick ka kritikuar arbitrin polak, Szymon Marciniak, që kishte një mbrëmje të ngarkuar në stadiumin në Milano.

Ai dha një penallti për Interin pas rishikimit të situatës në VAR, për ndërhyrje të Pau Cubarsit në Lautaro Martinezin. Penalltia u kthye në gol nga Hakan Çalhanoglu. Më pas anuloi vendimin për penallti në të mirë të Barcelonës. Pas rishikimit të VAR-it, Marciniak vlerësoi se ndërhyrja e Henrikh Mkhitaryan në Lamine Yamalin ishte jashtë zonës. Fillimisht tregoi në pikën e bardhë.

Te Barcelona kanë pretenduar edhe për lojë me dorë në zonë të Acerbit dhe po ashtu për një faull të Denzel Dumfries në Gerard Martinin gjatë ndërtimit të aksionit që solli golin e tretë të Interit.

“Nuk dua të flas shumë për Interin, por secili vendim që ishte 50-50 ka shkuar në të mirë të Interit”, ka thënë Flick në konferencë për shtyp.

“Jam i dëshpëruar, por jo me ekipin tim. Ekipi provoi çdo gjë. Ne jemi eliminuar, por vitin tjetër do të provojmë sërish t’i bëjmë tifozët të lumtur. Më trishton. Ekipi bëri punë të shkëlqyer. Nuk dua të flas për referin. I thashë atij se çka mendoj, por nuk do të tregoj këtu se çka i thashë”, ka vazhduar trajneri gjerman.

Barcelona po kërkonte tripletën pasi tashmë e ka fituar Kupën e Mbretit. Tani e kthen fokusin në La Liga, ku është në krye. Katër xhiro para fundit, Barcelona i ka katër pikë më shumë se Real Madridi. Të dielën është klasikja me Madridin.

Edhe lojtarët e Barcelonës kanë drejtuar gishtin kah arbitri.

“Të gjithë e dinë se çka bëri ky arbitër kur luajtëm herën e fundit me këtë skuadër. Por jemi krenarë me paraqitjen”, ka thënë mbrojtësi Eric Garcia.

“Kjo nuk është hera e parë që na ndodhi kjo me këtë arbitër. Mendoj që UEFA duhet të shikojë këtë. Ka gjëra që vështirë mund të shpjegohen’, ka thënë Pedri.

“Kishte shumë situata. Çdo vendim 50-50 ishte në të mirë të kundërshtarit. Në penalltinë ndaj Yamalit, që më vonë u bë faull, ai nuk i dha Mkhitaryanit karton të verdhë, që do të ishte i dyti i tij”, ka shtuar mesfushori.

Eric Garcia dhe Pedri e kanë pasur fjalën për ndeshjen e fazës grupore të edicionit 2022/2023 mes Barcelonës dhe Interit. Marciniak kishte drejtuar takimin që kishte përfunduar 3:3, rezultat që kishte ndikuar në eliminimin e Barçës.