Të infektuarit me koronavirus nga e hëna mund të aplikojnë për 50 në Komunën e Prishtinës

Që nga e hëna të gjithë të infektuarit me Covid-19 në Komunën e Prishtinës do të mund të aplikojnë për t’i përfituar nga 50 dhe 100 euro.

Kjo për shkak se nga kjo ditë aplikacioni do të hapet online dhe të gjithë të infektuarit do të mund t’i plotësojnë të dhënat e tyre të cilat kërkohen nga komuna.

Kështu, ka thënë për FrontOnline, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi.

“Ne e kemi një grant edhe për qytetarët të cilët janë të infektuar që nga fillimi i kësaj kohës së pandemisë, që nga data 13 mars e me të cilin aplikacion besoj do të startojmë të hënën. Aplikacioni do të jetë vetëm online, ku do ta plotësojnë qytetarët të gjithë të infektuar , do t’i plotësojnë të dhënat të cilat ne I kërkojmë numrin personal, numrin e llogarisë, emrin, mbiemrin ,numrin e telefonit, pra këto do të jenë disa elemente kryesore dhe pastaj ato aplikime do të gërshetohen ose do të vendosen në një relacion me data bazën të cilën ne e kemi të azhurnuar tashmë çdo ditë, me databazën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike , secili që gjendet në këtë databazën e IKSHPK-së prej aplikuesve i cili gjendet ai do të shpërblehet”, ka deklaruar nënkryetari.

Nushi, po ashtu ka treguar se nga ky grant do të përfitojnë edhe familjet e personave të vdekur nga Covid-19.

“Qytetarët deri në moshën 65 vjeçare e dini që do të shpërblehen me 50 euro , ndërsa ata prej 65 vjet e më lartë do të shpërblehen me 100 euro . Po ashtu, edhe familjarët e personave të vdekur, të cilët deri më tash i kemi 126 veta të vdekur në Komunë të Prishtinës do të shpërblehen sipas moshës të cilën në momentin e vdekjes e ka pas qytetari i Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar ai, për FrontOnline.

E, duke folur për menaxhimin e situatës së pandemisë në Komunën e Prishtinës, Nushi ka thënë se ende e kanë situatën nën kontroll, por se problem po u paraqet sektori i arsimit dhe një pjesë e punëtorëve shëndetësor.