Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me gjuajtjen me armë afër rrugës “B” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci i tha Telegrafit se mbrëmë rreth orës 23:55 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Bardhyl Qaushi” në Prishtinë.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy lloje gëzhojash. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkaq dy vetura janë dëmtuar”, tha ai.
Borovci shtoi se Policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identifikimit të të dyshuarve, dhe në të njëjtë kohë po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Ndërkaq, në një përgjigje për Telegrafin nga Zyra për informim e Prokurorisë bën të ditur se njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas tyre, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se në rrugën B është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Njësitet relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me rastin. Hetimet janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në përgjigje.