Thaçi: Kontributi i trimave tanë për t’ia ndalur hovin regjimit të Milosevicit ishte çdoherë i lartë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar heronjtë Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.

Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kontributi i trimave tanë për t’ia ndalur hovin regjimit të Millosheviqit, në tërë territorin e ish-Jugosllavisë, ishte çdoherë i lartë.


Lexoni të plotë postimin e Thaçit:

“Kontributi i trimave tanë për t’ia ndalur hovin regjimit të Millosheviqit, në tërë territorin e ish-Jugosllavisë, ishte çdoherë i lartë. Disa prej këtyre trimave, që i luftuan heroikisht forcat policore dhe ushtarake të Serbisë ishin edhe Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.

Bekim Berisha luftoi në Kroaci e Bosnje dhe padyshim që gjaku i tij shqiptar nuk e linte asnjëherë që të mos i bashkohej radhëve të UÇK-së dhe luftës sonë të drejtë për çlirimin e Kosovës. Me guximin dhe përvojën e tij luftarake, ‘Abeja’ dha kontribut të madh për ta shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e regjimit serb për një Serbi të Madhe një etnike. Meritat dhe heroizmin e tij i vlerëson lart edhe shteti i Kroacisë.

Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula dhanë kontribut të pakrahasueshëm në luftën e UÇK-së, deri sa ranë heroikisht 22 vjet më parë, më 10 gusht 1998, kur iu bashkuan përjetësisht dëshmorëve që u flijuan për lirinë e Kosovës.

Atë ditë i humbëm disa prej luftëtarëve më të zotë, por rënia heroike e tyre vetëm sa e rriti moralin dhe motivimin e ushtarëve të UÇK-së, për ta vazhduar rezistencën e armatosur deri në çlirimin e atdheut”.