Thaçi për dialogun: Nuk është koha për matje të pulsit, Kosova duhet të jetë e gatshme t’i përgjigjet çdo thirrje nga ana e SHBA-ve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për vizitën e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Thaçi ka theksuar se çdo vizite nga ndërkombëtarët do t’i përgjigjet si president i vendit. Ai madje shtoi se ndërkombëtarët duhet ta trajtojnë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.

“Për vizitën e z.Lajçak ende zyrtarisht nuk jam i informuar. Do të shohim agjendën të cilën do ta ketë ai dhe natyrisht do t’i përgjigjem si president i vendit. Përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me çështjen e dialogut duhet ta trajtojnë Kosovën si vend i pavarur dhe sovran dhe çdo qasje tjetër është e dështuar”, tha Thaçi.

Ai shtoi se kanë besim të plotë në qasjen e SHBA-ve dhe se lidershipi i presidentit Trump dhe energjia e ambasadorit Grenell do të jenë efektive dhe do të shënojnë rezultate konkrete, shkruan Telegrafi.

Presidenti theksoi se tani nuk është koha për matje të pulseve.

“Nuk është koha për matje të pulseve apo trajtime seminarike të çështjes së Kosovës për njohje reciproke por  është koha për vendimmarrje historike që sjell rezultat konkret”, tha Thaçi.

I pyetur se kush do të udhëheq me dialogun, presidenti theksoi se këtë proces do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitim të qytetarëve.

“Do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitim të qytetarëve, ne nuk jemi në garë më njëri-tjetrin. Gjithçka është e përcaktuar me Kushtetutë është e pastër si loti, në këtë drejtim ne duhet ta plotësojmë njëri-tjetrin. Unë e mirëpres vendimin e z.Hoti për largimin e pengesave për vazhdim të dialogut dhe tani më Prishtina nuk është pengesë. Kosova duhet të jetë e gatshme t’i përgjigjet çdo thirrje nga ana e SHBA-së”, tha Thaçi.

Thaçi tha se do ta mirëpret çdo thirrje për unitet politik.