Totaj: Vetëvendosje kapi bordet publike me anëtarë të saj

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), denoncon emërimet e fundit politike të qeverisë në ikje, duke konsideruar se ato janë dëshmi e qartë e përpjekjes së kryeministrit të shkarkuar për të kapur shtetin.

Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, sipas tij, në mënyrë arbitrare, pa ndjekur asnjë procedurë paraprake ligjore, janë provë e dyfytyrësisë së kryeministrit në ikje që në pushtet ka ardhur me premtimin e forcimit të sundimit të ligjit.

“Partia Demokratike e Kosovës deklaron se këto veprime e çojnë vendin prapa duke rrënuar përpjekjet e deritanishme për të ndërtuar borde sa më profesionale që shmangin punësimin e militantëve partiakë. Ne i bashkohemi zërit të kritikës qytetare dhe dënojmë emërimet e anëtarëve politikë të Vetëvendosjes prej të cilëve janë ish kandidatë për deputetë dhe anëtarë të kësaj partie”, tha Totaj.

 Ai ka rikujtuar se ka një një memorandumi të nënshkruar me Ambasadën britanike në Kosovë, ka përfshirë një kompani profesionale angleze për të ndihmuar në rekrutime sa më profesionale e meritokratike në bordet e ndërmarrjeve publike.

 “Ajo që i bën edhe më të rënda këto vendime, është fakti që ato po vijnë nga një qeveri e shkarkuar me mbi 2/3 e votave të popullit të shprehura nëpërmjet të deleguarve të tyre në parlament. Prandaj i bëjmë thirrje qeverisë së shkarkuar të z. Kurti që të ndali shkarkimet e paligjshme, punësimet e klienteliste e nepotike si dhe çdo vendim tjetër të rëndësishëm sepse është një qeveri e shkarkuar në detyrë”.

“Qeveria në ikje e Kurtit, duhet ta kuptojë njëherë e mirë, që s’ka legjitimitet të ndërmarrë veprime apo vendime të rëndësishme por thjesht duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e institucioneve shtetërore derisa të zëvendësohet nga një qeveri e re”, theksoi nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj.