Trafiku Urban pret mjetet financiare nga Komuna e Prishtinës, greva vazhdon pa afat

Edhe sot, situata në transportin urban të Prishtinës mbetet e pandryshuar, ndërsa greva që nisi të hënën ka lënë kryeqytetin pa asnjë linjë funksionale.

Qytetarët vazhdojnë të përballen me vështirësi në lëvizje, por pakënaqësia më e madhe duket se vjen nga vetë kompanitë e transportit, të cilat thonë se kushtet e tyre nuk janë përmbushur prej kohësh.

Për mijëra banorë që e kanë përdorur çdo ditë transportin urban si mjet të lehtë, të qasshëm dhe ekonomik, mungesa e autobusëve ka krijuar pengesa të ndjeshme në zhvillimin e aktiviteteve të zakonshme — nga puna e deri te obligimet ditore.

Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhje të enjten (më 27 nëntor), duke arritur të votojë bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025, në shumën prej 35 milionë eurove.

Nga Trafiku Urban, kanë bërë të ditur për Telegrafin se sot pritet që Ministria e Financave t’i bartë mjetet vetanake në llogarinë e Komunë së Prishtinës, që më pastaj kjo e fundit t’i bartë tek ta një pjesë të shumës prej 35 milionë eurosh.

Komuna e Prishtinës detyrohet të shlyejë një borxh prej 3.2 milionë euro ndaj Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban”, ndërsa vetë operatorët privatë përballen me mbi 1.6 milionë euro borxhe për derivate.