Sunny Hill Festival

Tre të rinj vdiqën brenda pak ditësh, sot ditë zie në Viti

Komuna e Vitisë ka shpallur ditë zie të mërkurën, pas tri vdekjeve që kanë tronditur këtë komunë, ku brenda tri ditësh vdiqën tre të rinj.

Kryetari Sokol Haliti konfirmoi se në mesin e viktimave nga sulmi në Graz të Austrisë, është edhe një vajzë me prejardhje nga kjo komunë.

“Brenda vetëm tre ditësh, kemi humbur tre të rinj vitias – bij e bija të kësaj toke, që u ndanë nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe tragjike. Kjo dhimbje është e papërshkrueshme dhe ka prekur thellë secilin prej nesh. Në nderim të jetës së tyre dhe për të shprehur solidaritetin e institucioneve dhe të gjithë qytetarëve me familjet që po përballen me këtë dhembje të madhe, shpall të mërkurën, 11.06.2025 DITË ZIE në Komunën e Vitisë”, ka shkruar Haliti.

Sot famujt në të gjitha institucionet komunale do të ulen në gjysmështizë, aktivitetet kulturore, sportive dhe festive do të pezullohen.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Vitisë të bashkohen në këtë ditë zie, për të nderuar kujtimin e të ndjerëve dhe për të qëndruar pranë familjeve të tyre, duke ndarë dhembjen me solidaritet dhe dashuri njerëzore. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe i pastë të ndjerët në mëshirën e Tij”, ka shkruar Haliti.