Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të shtunën se SHBA-ja ka kryer sulme kundër Venezuelës dhe e ka kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro, si dhe bashkëshorten e tij.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, janë kapur dhe janë dërguar me avion jashtë vendit”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Trump tha se për hollësitë e kësaj ngjarjeje do të njoftojë më vonë.
Kryeqyteti Karakas u trondit nga disa shpërthime mëngjesin e hershëm, të cilat ndodhën pas kërcënimeve të vazhdueshme nga Trump kundër Maduros.
Qeveria venezuelase theksoi se sulme kanë ndodhur edhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke e shtyrë atë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe t’i mobilizojë forcat e mbrojtjes.
Shpërthime, avionë dhe tym i zi u panë në të gjithë Karakasin duke filluar rreth orës 2:00 të mëngjesit për afërsisht 90 minuta, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve që qarkullonin në rrjetet sociale, raporton agjencia e lajmeve Reuters.