Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik në Istog, ku një grua ka ndërruar jetë pasi është vetëplagosur me armën e bashkëshortit.
Rasti ka ndodhur të premten.
“Hetim i vdekjes. Fsh. Istog i poshtëm, Istog 20.02.2026-15:50. Emergjenca në Istog ka raportuar se është pranuar e plagosur me armë zjarrit në abdomen viktima femër kosovare. Dyshohet se viktima ishte vet-plagosur me armë zjarrit që i përket bashkëshortit”, thuhet në raportin policor.
Në vend ngjarje kanë dalë njësitet përkatëse.
Viktima është transferuar në Spitalin e Pejës dhe rreth orës 18:57 ka ndërruar jetë në sallën e operimit.
Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML, ndërkaq rasti duke u hetuar.
Lidhur me rastin tragjik ka njoftuar edhe Spitali i Pejës.
Në njoftimin e së premtes të Spitalit të Pejës thuhet se përkundër angazhimit intensiv dhe profesional të stafit shëndetësor, fatkeqësisht pacientja nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve të marra.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se sot kemi pranuar një paciente e plagosur me armë zjarri, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Menjëherë pas pranimit, ekipet kujdestare, të përkrahura edhe nga ekipet e gatishmërisë, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme mjekësore dhe reanimuese, duke u përpjekur maksimalisht për ti shpëtuar jetën pacientes.
Përkundër angazhimit intensiv dhe profesional të stafit shëndetësor, fatkeqësisht pacientja nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve të marra. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e së ndjerës”, thuhet në njoftimin e së premtes të spitalit.