Ujësjellësi “Prishtina” publikon tarifat e reja të ujit për vitet 2026–2028

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë publike tarifat e reja për periudhën 2026–2028, të cilat kanë hyrë në fuqi nga ky muaj.

Sipas njoftimit, tarifa për shërbimet e ujësjellësit për konsumatorët shtëpiakë është caktuar 0.63 euro për metër kub, që paraqet një rritje prej rreth 40 për qind krahasuar me tarifat e mëparshme. Ndërkaq, tarifa për shërbimet e ujërave të ndotura për këtë kategori është 0.12 euro për metër kub, duke shënuar një rritje afro 60 për qind në raport me tarifat e kaluara.

Për konsumatorët komercialë dhe institucionalë, tarifa e re për shërbimet e ujësjellësit është 0.82 euro për metër kub, nga 0.62 euro sa ishte më parë. Ndërsa tarifa për shërbimet e ujërave të ndotura është rritur në 0.28 euro, nga 0.17 euro që ishte sipas tarifave të vjetra.

KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se tarifat janë përcaktuar nga Autoriteti Rregullator për Ujëra (ARRU), në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-042, i cili obligon që tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të sigurojnë qëndrueshmëri financiare për ofruesit e shërbimeve. Sipas ARRU-së, tarifat caktohen për shërbimet e ujësjellësit dhe ujërave të ndotura, furnizimin me ujë të patrajtuar me shumicë, si dhe ujin e trajtuar me shumicë.

Tarifa llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh edhe nivelin e efikasitetit në arkëtimin e të ardhurave. Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve.

Sipas njoftimit, KRU “Prishtina” ka paraqitur kërkesa për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbimeve të kanalizimit, përfshirë rritjen e kostove të personelit dhe energjisë elektrike, projekte kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit dhe pajisjeve ekzistuese për të reduktuar defektet dhe ndërprerjet, si dhe investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.

Edhe me tarifat e reja të aprovuara, KRU “Prishtina” ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët.