Vedat Muriqi mund të largohet nga Mallorca në verë

Pablo Ortells, drejtori sportiv i Mallorcas, ka folur rreth mundësisë që sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, të largohet nga klubi.

Kjo, siç raporton media “Estadio Deportivo”, ka sjellë një situatë në të cilën nuk përjashtohet mundësia që Muriqi të largohet nga RCD Mallorca në merkaton e ardhshme të verës.

Një ikje e mundshme nuk përjashtohet as nga Pablo Ortells, drejtori sportiv i RCD Mallorca.

Në një intervistë për gazetën “Marca”, ai tha se Muriqi është një lojtar i rëndësishëm dhe është një shenjë e mirë që ai dëshiron të vazhdojë me klubin.

“Do të ishim të lumtur të vazhdojmë të llogarisim tek ai. Ai ka një kontratë në fuqi dhe kur të vijë koha, shpresojmë që palët të arrijnë marrëveshje dhe ai të vazhdojë në Mallorca”, tha ai.

Pavarësisht kësaj tentative për të ulur tensionet, Pablo Ortells nuk ia ka mbyllur derën një largimi të mundshëm të Vedat Muriqit në merkaton e verës së ardhshme duke thënë se gjithçka mund të ndodhë kur ai është pyetur për të ardhmen e Muriqit, Larinit dhe Abdon Prats.

“Tregjet janë të pasigurta dhe ne nuk mund të hamendësojmë të ardhmen. Të tre kanë kontrata dhe në këtë kuptim jemi të qetë. Asgjë nuk përjashtohet. Ata janë tanët dhe në verë do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi Ortells.

Vedat Muriqi, këtë sezon ka shënuar 7 gola në 26 ndeshje, duke shtuar 2 asistime. Sulmuesi është i lumtur te RCD Mallorca, por prej kohësh kërkon një rinovim të kontratës që për momentin klubi ka preferuar ta shmangë.