Shtimi i ankesave nga importuesit dhe qytetarët për mbivlerësim të veturave që importohen nga Koreja e Jugut ka bërë që Dogana e Kosovës të nxjerrë një udhëzim të brendshëm. Nga tani veturat koreane do të vlerësohen bazuar në vlerën e tregut specifik nga ky shtet. Sipas juristëve, Dogana deri më tani nuk ka zbatuar saktë dispozitat e Kodit Doganor
Veturat që importohen nga Koreja e Jugut tani e tutje do të zhdoganohen në bazë të vlerës së blerjes në shtetin aziatik.
Dogana e Kosovës ka nxjerrë një udhëzim të brendshëm, që përcakton referimin në vlerën e tregut specifik korean.
Vendimi i Doganës së Kosovës u mor pas ankesave të shumta nga importuesit dhe qytetarët për mbivlerësim të këtyre veturave.
“Ky udhëzim parasheh që në situata të caktuara, kur rrethanat objektive dhe dokumentacioni i vlefshëm e lejojnë, të përdoret metoda e vlerësimit me të dhënat në dispozicion, duke harmonizuar çmimet e automjeteve nga Koreja me ato të katalogut të tregut evropian përmes një devijimi të pranuar të vlerës, e cila njeh karakteristikat e tregut dhe bazohet në një analizë të mirëfilltë të profesionistëve të Doganës së Kosovës”, thuhet në një përgjigje të Doganës.
Veturat koreane kanë çmim më të ulët sesa ato evropiane për shkak të masave të Qeverisë koreane për t’i nxitur qytetarët e saj për të kaluar në vetura elektrike.
Nga Dogana kanë bërë të ditur se rritja e ankesave që kanë pranuar gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit është kryesisht me shtimin e veturave të importuara nga Koreja e Jugut.
Avokati Dren Kukaj thotë se problemi qëndron te moszbatimi i saktë i dispozitave të Kodit Doganor pasi, sipas tij, nuk është marrë për bazë vlera e transaksionit të mallit.
“Po i mbivlerësojnë këto vetura duke e rritur barrën doganore financiare për këto vetura, që mendoj se kjo është një praktikë e kundërligjshme, e njëkohësisht edhe e padrejtë për qytetarët tanë, të cilët për fatin e tyre të mirë kanë arritur që të gjejnë vetura që janë më të lira e të cilat mendoj që Dogana duhet të vlerësojë në vlerën reale për çka nuk po ngjan. Këto raste tash janë për shkak të një praktike të konsoliduar të gjykatave në Kosovë, të fitueshme në Kosovë”, ka thënë avokati Kukaj.
Kukaj ka thënë se në shumicën e rasteve vlerësimi i veturave koreane është bërë bazuar në katalogun e veturave të Unionit Evropian.
“Nëse dikush e ka blerë një veturë që kushton 7-8 mijë euro, ata ia vendosin një vlerë në bazë të katalogut 13-14 mijë euro, ose më shumë ose më pak dhe kjo ka menjëherë impakt në barrën doganore që duhet të paguajnë ata njerëz”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë importuar 5 mijë e 102 vetura nga Koreja e Jugut, me vlerë totale prej 69 milionë e 242 mijë eurove.
Nga këto vetura Dogana ka marrë mbi 6 milionë euro taksë doganore, rreth 2 milionë e 800 mijë euro janë paguar akcizë dhe mbi 14 milionë euro TVSH.
Dogana deri më 31 dhjetor 2024 ka pranuar 438 raste ankese në lidhje me rivlerësimin. Nga këto rreth 48 për qind apo 210 raste janë aprovuar.
Më 4 nëntor ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar vendimin për emërimin e anëtarëve të trupës për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të nxjerra nga Administrata Tatimore (ATK) dhe nga Dogana.
Sipas të dhënave të kësaj ministrie, gjatë janarit dhe shkurtit janë pranuar 190 ankesa kundër Doganës, 180 prej të cilave ndërlidhen me rivlerësimin e mallrave.