Vitia: Lajmet e pavërteta rrezikojnë sigurimin e vaksinave kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia mbajti sonte një konferencë për media ku ka demantuar lajmet e pavërteta për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Fjala e plotë e Ministrit Arben Vitia në konferencën e sontme për media

Sot, në vend të konferencës për të lajmëruar për ecurinë e masave të marra para 9 dite, më duhet të flas për një temë tjetër e cila u provokua nga një lajm i pavërtetë, i cili po të mos ishte i dëmshëm për procesin e sigurimit të vaksinave, nga i cili varet shëndeti i qytetarëve, ndoshta do të reagonim të hënën.

Më lejoni të jemi shumë i shkurtë dhe shumë i qartë

  • Lajmi i publikuar në gazetën Insajderi është i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq. Më lejoni ta përsëris edhe njëherë:
    Lajmi i publikuar në gazetën Insajderi është i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq.

Është i pavërtetë sepse ata që janë siguruar me kinse informata zyrtare, janë krejtësisht të pasakta.

Ne nuk mundemi të flasim për progresin që kemi bërë në sigurimin e vaksinave, sepse kjo çështje është strikt konfidenciale. Edhe ata që kanë rrjedhur çfarëdo çerek të vërtete e kuptojnë se këto të dhëna janë konfidenciale. E ata që rrjedhin të dhëna konfidenciale duhet ta kuptojnë se dëmtojnë procese të ndjeshme, në këtë rast kanë dëmtuar dhe rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Procesi i sigurimit dhe furnizimit me vaksina nuk është lojë. Vaksinat janë çështje e rëndësisë dhe e sigurisë kombëtare, sepse kemi të bëjmë me shëndetin publik të qytetarëve. E të rrezikosh sigurimin e vaksinave ke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, e për këtë shteti duhet të kërkojë llogaridhënie.

Ne ftojmë prokurorin e shtetit që të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve dhe të veprojë ndaj kujtdo që dëmton një proces kaq delikat, por kaq jetik.

Qytetarë të dashur,

Ministria e Shëndetësisë ka të themeluar një komision për negocim për sigurimin e vaksinave. Ky komision është profesional dhe në komunikim të vazhdueshëm me prodhuesit e vaksinave të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Agjencia Federale e Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo trupë profesionale është nën betim të konfidencialitetit që nënkupton se nuk mund të japë asnjë detaj për procesin e negocimit. Por, si ministër i juaji i Shëndetësisë ajo që mund të them me siguri është se jam i kënaqur me punën e bërë nga ky komision dhe progresin që kemi arritur deri tani.

Në këtë konferencë, ka folur edhe kryesuesi i ekipit negociues për sigurimin e vaksinave, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i MSh-së, Naim Bardiqi, i cili ka theksuar se ekipi është optimist se janë në rrugën e duhur për të siguruar vaksina të tjera kundër COVID-19.