Vitia mohon se nuk nënshkroi kontratën me Pfizer: Ishte lajm i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur në një konferencë për media sot në lidhje me raportimet e sotme se ai nuk ka nënshkruar me qëllim kontratën me Pfizer për ardhjen e vaksinave në Kosovë.

Vitia para mediave ka thënë se ky raportim nuk qëndron dhe është krejtësisht i pavërtetë.

Madje ka thënë se raportime të tilla dëmtojnë edhe procesin e sigurimit të vaksinave.

“Sot në vend të një konference për të lajmëruar ecurinë e masave, apo për masa të reja, më duhet të flas për një temë tjetër për një lajm të pavërtetë i cili po të mos ishte i dëmshëm do të reagonim të hënën apo fare. Lajmi i publikuar në Insajderi është i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq. Është i pavërtetë sepse ata që janë siguruar me kinse informacione zyrtare janë krejtësisht të pasaktë.  Çështja është konfidenciale. Ata e kuptojnë që këto dhëna janë konfidenciale. Ata që rrjedhin të dhëna të tillë, kanë dëmtuar dhe rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Procesi i sigurimit të vaksinave nuk është lojë. Të rrezikosh sigurimin e vaksinave, ke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe për këtë duhet pasur llogaridhënie”, ka thënë Vitia.

Ai ka lavdëruar edhe Komisionin për sigurimin e vaksinave.

“MSH ka themeluar një komision për sigurim  të vaksinave dhe i njëjti është funksional. Kjo trupë është nën betim të konfidencialitetit që nënkupton se nuk mund të jap asnjë detaj. Ajo që mund të them është se jam i kënaqur me punën dhe progresin”, tha Vitia.

Vitia ka thënë se deri në fund të muajit prill nuk do të vijë kontingjenti tjetër i vaksinave, 

“Deri në fund të prillit nuk do të vije kontingjenti tjetër i vaksinave”.

“Nëse kemi pasur një pikë të shndritshme në shëndetësi gjatë historisë kosovare, ka qenë vaksinimi. Ekipet janë të jashtëzakonshme në secilën komunë”.

“Ne jemi duke biseduar me të gjitha kompanitë prodhuese. Ka buxhet të mjaftueshëm – buxheti nuk ka qenë në asnjë moment problemi sa i përket sigurimit të vaksinave, tha ai.

Naim Bardiqi Kryeses i Komisionin për negocimin e sigurimit të vaksinës, tha se janë optimistë për sigurimit e vaksinës, por që nuk mund të jap detaje për shkak se janë në deklaratë nën betim.

” Si Komision jemi duke bërë punën ton dhe jemi në deklaratën nën betim dhe nuk mund tu japim detaje. Jemi optimistë”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova ka buxhetin e mjaftueshëm për sigurimin e vaksinës anti-Covid.