Sunny Hill Festival

Vushtrria nuk ia del, Llapi mbetet në Superligë

Llapi ka mbetur në elitën e futbollit kosovar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina e fitoi ndeshjen e barazhit ndaj Vushtrrisë, vetëm pas ekzekutimit të penalltive 1:4.

Loja e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën pa gola, ndonëse rastet ishin të shumta nga të dyja skuadrat.

Qendërmbrojtësi Muhamed e shënoi penalltinë vendimtare për skuadrën e Llapit. 

Për Llapin penalltitë i shënuan Arbnor Ramadani, Arianit Hasani, Benjamin Emini dhe Useini.

Merita për fitoren e Llapit pati edhe portieri kroat, Marijan Çoriq.

Ai e priti penalltinë e parë të sulmuesit të Vushtrrisë, Urim Statovci, që hyri në lojë si zëvendësues.

Ndërkohë, mesfushori Besar Iseni gjuajti mbi portë.

Të vetmen penallti për vushtrriasit e shënoi Viktor Angelov.

Vushtrrisë i takoi pjesa e parë e ndeshjes në kohën e rregullt, ndërsa Llapi dominoi në pjesën e dytë. Madje e pati edhe një shtyllë të qëlluar me Hasanin.

Pavarësisht rasteve në kohën e rregullt dhe vazhdime, gola nuk u shënuan.

Vushtrria nga minuta e 100-të luajti me një futbollist më pak në fushë.

Futbollisti i krahut dhe kapiteni Daut Maxhuni, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Ndeshja e barazhit ishte edhe përmbyllëse për sezonin 2024-25.

Llapi në elitën e futbollit kosovar ishte kthyer në edicionin 2015-16, kurse Vushtrria për herë të fundit në Superligë ka luajtur në vitin 2020.