“Xhaka i ri” mund të ndjekë rrugën e Granitit

Edhe pse Granit Xhaka arritjet më të mëdha i ka me Bayer Leverkusenin, kapiteni i Zvicrës është një nga transferimet më të suksesshme në dekadën e fundit të klubit Borussia Monchengladbach. Xhaka ishte transferuar te Gladbachu në vitin 2012 për 8.5 milionë euro nga Baseli, ndërsa më vonë kaloi tek Arsenali për 45 milionë euro.

Një tjetër lojtar i ri kosovar që po shkëlqen te Baseli mund të ndjekë rrugën e Xhakës. Bëhet fjalë për Leon Avdullahun. 21-vjeçari ka lënë përshtypje të mira me cilësitë e tij në mesfushë.

Në Zvicër, Avdullahu cilësohet si Granit Xhaka i ri. Tiparet e tij janë të ngjashme me ato të Granit Xhakës. Është i fuqishëm, ka pasime të sakta, ndërsa është edhe kapiten i Zvicrës U21. Graniti është kapiten i Zvicrës A.

“Bild” të enjten ka raportuar se drejtori sportiv i Gladbachut, Roland Virkus po punon për transferimin e Avdullahut.

“Gladbachu mund të transferojë një yll të ri zviceran gjatë verës. Menaxheri Roland Virkus synon një super talent, i cili tashmë po krahasohet me Granit Xhakën”, shkruan Bild të enjten.

Por Graldbachu do të përballet me një garë të fortë për transferimin e Avdullahut. Interesim për Avdullahun në Gjermani ka shprehur edhe Wolfsburgu. Së fundi interesim ka shprehur edhe skuadra e Serie A, Fiorentina. Por për të pasur në skuadër Avdullahun, klubet duhet të gërmojnë thellë në xhepat e tyre. Avdullahu ka kontratë afatgjate me Baselin. Ka kontratë deri në verën e vitit 2028, ndërsa vlera e tij në tregun e transferimeve është 7.5 milionë euro.

Sipas statistikave Avdullahu është një prej lojtarëve me përqindjen më të madhe të pasimeve të sakta. 

Avdullahu është zhvilluar si futbollist te Baseli, ndërsa ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës.

Te Zvicra besojnë shumë në talentin e tij. Avdullahu ka luajtur 30 ndeshje me ekipin e parë të Baselit, ndërsa e ka një gol të shënuar. Është po ashtu kapiten i Zvicrës U21. Është kandidat potencial për t’u ftuar së shpejti edhe nga përfaqësuesja A e shtetit helvetik.

Interesim për Avdullahun ka shprehur edhe Përfaqësuesja e Kosovës.

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” kishte shkuar në fund të muajit janar se Avdullahu nuk ka vendim të prerë.

“Ai befasisht mbetet modes. Nëse do të luaj një ditë për Zvicrën apo Kosovën është ende e hapur”, kishte shkruar më 26 janar të këtij viti gazeta e madhe zvicerane.