Zemaj: Qeveria Hoti s’është për të mbyllur vendin tërësisht

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është deklaruar sot lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Zemaj në Kuvendin e Kosovës tha se do të ishte mirë që të gjithë të jenë në një front të njëjtë, pozitë e opozitë për t’i bërë ballë situatës së pandemisë me COVID-19.

Zemaj theksoi se politizimi i situatës është gjëja që më së paku i duhet qytetarëve.

“Ajo që ne duhet të dimë është përkushtimi i të gjithëve për mandatin dhe besimin që kemi marrë për t’u shërbyer qytetarëve. Qytetarët nuk duan përçarje apo demagogji.Të gjithë ne do të jemi faqebardhë kur do të largojmë virusin vdekjeprurës nga vendi ynë, prandaj përpjekja ime dhe e juaj duhet të jetë sa më parë. Prioritet i yni duhet të jetë që virusit t’ia bëjmë të pamundurën qëndrimin mes nesh. Duhet të kemi kurajo dhe solidaritet që të punojmë në një front të përbashkët, e të mos politizohemi me këtë situatë”, tha Zemaj.

“Të gjithë duhet të zbatojmë masat dhe manualet që janë për parandalimin e COVID-9. Mjekët e infermierët si asnjëherë më parë janë përballë betejës për jetët tona. S’duhet të mbyllim sytë ndaj asnjë forme që i jep jetë këtij virusi. Në këtë luftë globale kundër virusit, Kosova është rreshtuar përkrah botës për të luftuar atë. Kemi përkrahjen ndërkombëtarë për të bërë më të mirën e mundshme kundër virusit. Bartja e maskave është oblgiative, në çdo ambient të hapur apo të mbyllur, respektimi i distancës dhe mbajtja e higjienës. Nga ky Kuvend ne përcjellim shembullin që jemi të parët që respektojmë masat anti-COVID. Çdo vendim i institucioneve bartet në bazë të mbledhjes së informacioneve që kanë të bëjnë me këtë virus”, shtoi Zemaj.

Ministri theksoi se Qeveria Hoti nuk qeveris me logjikën e përjashtimit dhe asnjëherë s’e mendon mbylljen e tërësishme të vendit si më parë.

“Jo biznese të mbyllura, por të hapura duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha masat. Më pak raste dhe më shumë efektivitet formal, ne s’mund të kthehemi në pikën zero. Duhet të jemi të hapur. Por mos t’i mbushim spitalet e mos ta bëjmë të pamundur që pacientët të marrin kujdesin për të cilin kanë nevojë”, tha Zemaj.