Zemaj siguron qytetarët: Kemi teste të mjaftueshme

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka siguruar qytetarët se nuk ka vend për shqetësim dhe se ka numër të mjaftueshëm të testeve.

Zemaj, në seancën ku po diskutohet mbi menaxhimin e COVID-19 nga ana e Qeverisë, tha se që nga dita e parë e pandemisë dhe deri dje (16 nëntor) në Kosovë janë kryer 119 mijë e 20 testime.

“Deri më 4 qershor janë kryer 15 mijë e 880 testime (për 92 ditë), ndërsa nga 4 qershori e deri më 16 nëntor janë kryer 104 mijë e 640 testime”.

“Në IKSHPK, Departamenti i Mikrobiologjisë, gjenden 125 teste në stok. 100 mijë teste janë marrë me një pajisje donacion, derisa vetëm 60 mijë teste janë blerë prej që unë jam Ministër i Shëndetësisë. Gjashtë pajisje janë blerë nga projekti i huamarrjes nga Banka Botërore të cilat kanë ardhur dhe tash janë në vlerësim apo evaluim të përgatitjes për të hyrë në proces të testimeve në gjashtë Qendrat Rajonale të IKSHPK-së. Disa qendra janë të gatshme, derisa disa të tjera janë në përgatitje dhe varet edhe nga kapacitetet humane që është domosdoshmëri”.

“Me këto teste aktuale, me këtë intensitet që është mesatarja tash 1 mijë e 500 testime në ditë, kemi testime të mjaftueshme, përkundër kësaj Departamenti i Mikrobiologjisë e ka bërë kërkesën edhe për 300 mijë teste të reja të cilat, sipas nevojës, duhet t’i sigurojmë. Pas ardhjes së aparaturave, tri janë vendosur në IKSHPK dhe një në Graçanicë, është shtuar sigurisht numri i testimeve dhe shtimi i gjurmimit në terren, si dhe rritja e kërkesës edhe nga spitalet dhe QKMF-të për testime të cilat tanimë janë duke ndodhur”.